Latifi: Mes meje e Kadri Veselit, qytetari e di se kush është tregtari

Latifi: Mes meje e Kadri Veselit, qytetari e di se kush është tregtari

Kandidati për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, i është kundërpërgjigjur kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Veseli, në një fjalim të mbajtur dje në Rahovec, kishte thënë se “nuk e kemi ditur se Smajl Latifi kishte qenë shumë tregtar”.

Në tubimin qendror të AAK-së në Rahovec, Latifi i është përgjigjur kësaj deklarate.

“Dje, në po këtë sallë e në vendin ku jemi ne, Kadri Veseli u mor më shumë me mua, se sa me kandidatin e tij. Dhe nuk ka faj. Sepse kur nuk ka argumente për të mbështetur kandidatin e tij, sulmon në mënyra të ulëta çfarë jemi mësuar t’i shohim, kundërkandidatin. Shumë mirë. Unë kam vetëm këto fjalë: Në mes të Kadriut dhe Smajlit, qytetari e di se kush është tregtari”, ka deklaruar Latifi.

“Ashtu siç e dinë edhe përkushtimin dhe ndershmërinë e secilit. Ju e dini se unë i respektoj tregtarët, edhe pse unë nuk kam qenë asnjëherë dhe nuk jam tregtar, e këtë qytetarët e dinë fortë mirë, por një gjë tashmë dihet se të gjithë ata që punojnë me djersë dhe mund, edhe nga këtu unë i vlerësoj dhe i përshëndes. Nuk më çudit nëse edhe në ditët në vazhdim mund të përdorin një diskurs të tillë, sepse tashmë ata e dinë që unë po bëhem kryetar”, ka thënë mes tjerash ai.

Smajl Latifi prin me vota nga zgjedhjet e 22 tetorit, ku u rendit para Idriz Vehapit të PDK-së.