Latifi: Serbia po e rifiton rolin e dikurshëm si epiqendra e Ballkanit, liderët tanë akuzojnë njëri-tjetrin

Latifi: Serbia po e rifiton rolin e dikurshëm si epiqendra e Ballkanit, liderët tanë akuzojnë njëri-tjetrin

Profesori i filozofisë, Blerim Latifi, ka kritikuar liderët shqiptarë në lidhje me investimet që po bëhen në Ballkan, shumica e të cilave po bëhen në Serbi, gjë që po e kthen atë në epiqendër të Ballkanit, njofton Insajderi.

Sipas tij, derisa Serbia me diplomaci po e arrin një synim të tillë, liderët tanë akuzojnë njëri tjetrin për gjërat që shkojnë keq.

Me anë të një postimi në Facebook, filozofi Latifi ka thënë se Vuçiqi dhe Serbia me diplomaci dhe pa luftë po e rifiton rolin e dikurshëm si epiqendra e Ballkanit.

Latifi ka theksuar edhe faktin që amerikanët e kanë vendosur në Beograd qendrën rajonale të Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar.

Ai tutje ka përmendur investimet kineze e turke, ku nga 15 miliardë eurove të investimeve kineze në Ballkan,10 miliardë janë investuar në Serbi, ndërsa Erdogani i premtoi Vuucict ndërtimin e një zone gjigante industriale në Vojvodinë.

Tutje ka kritikuar liderët shqiptarë, ku siç ka thënë, të vetmen gjë që din të bëjnë janë akuzat ndaj njëri-tjetrit.

Postimi i plotë:

Amerikanët e kanë vendosur në Beograd qendrën rajonale të Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar. Erdogani i premtoi Vuçiqit ndërtimin e një zone gjigante industriale në Vojvodinë.Investimet turke në Serbi janë shumë herë më të mëdha se ato në Kosovë e Shqipëri, të marra së bashku. Nga shuma e 15 miliardë eurove të investimeve kineze në Ballkan,10 miliardë janë investuar në Serbi. Thënë me pak fjalë: Serbia po e rifiton rolin e dikurshëm si epiqendra e Ballkanit.Pa luftë, por me diplomaci.Ndërkaq, shqiptarët duhet të kalojnë gjithë kohën duke konsumuar dokrrat e politikanëve të tyre,që të vetmet gjëra që dinë t’i bëjnë me efikasitet të lartë janë: të akuzojnë njëri tjetrin për gjërat që shkojnë keq, t’i vjedhin zgjedhjet dhe tenderët publikë për t’i mirëmbajtur klientelat e tyre politike. /Insajderi.com