Filozofi, Bleirm Latifi e ka lidhur ndërtimin e xhamisë së madhe me Erdoganin dhe Turqinë.
Filozofi Blerim Latifi, ka komentuar ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë për të cilën si kundërshtim sot është organizuar një protestë.
Latifi ka thënë se kjo është xhami e Erdoganit dhe tregon se Kosova është nën hijen e Turqisë.
“Kushdo që ka pak njohuri nga historia e civilizimeve e di se tempujt e mëdhenj fetarë më shumë ndërtohen për të dhënë mesazhe politike e dëshmi të pushtetit mbi një vend, se sa për t’u shërbyer nevojave të besimtarëve të thjeshtë. Që nga tempujt e Karnakut në Egjiptin e Lashtë e deri me sot kështu ka qenë. Nga ky rregull nuk bën përjashtim as historia jonë. Nuk bën përjashtim as kjo historia e tempujve në qendër të Prishtinës. Milosheviqi e ngriti kishën ortodokse serbe m’u në mes të Prishtinës për të dhënë mesazhin se Kosova është Serbi. Pas luftës, Ibrahim Rugova e ngriti katedralën katolike për t’i thënë botës së Kosova është pjesë e Civilizimit Perëndimor. Sot, Erdogani po e ndërton xhaminë e re në Prishtinë për të dhënë mesazhin se Kosova është nën hijen e Turqisë. Kjo është e gjitha. Të tjerat janë rrëfime të kota”, ka shkruar Latifi.
Për xhaminë e re që do të ndërtohet në Prishtinë është duke u zhvilluar një debat në opinionin publik. Shpesh ky debat po eskalon edhe në ofendime personale. /Insajderi.com/