Lavdim Krasniqi lirohet nga paraburgimi, kalon në arrest shtëpiak

Lavdim Krasniqi lirohet nga paraburgimi, kalon në arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak, ndaj drejtorit të suspenduar të Sekretariatit në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi.

Ky ndryshim i masës vlenë njejtë edhe për zyrtarin tjetër, Ardian Krasniqi, derisa për Marigona Berishën gjykata ka vendosur që e njëjta të mbrohet në liri.

Kjo është bërë e ditur për Gazetën Online Insajderi nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 29.03.2021, për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve L.K. dhe A.K. dhe zëvendësimin me masën e arrestit shtëpiak, ndërsa për të pandehurën M.B., zëvendësimin e arrestit shtëpiak me masën e paraqitjes në stacionin policor, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda me datë 30.03.2021 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që i është ndërprerë masa e paraburgimit të pandehurve L.K. dhe A.K. e caktuar me aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak për të pandehurën M.B. dhe është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë si e pa bazuar, sa i takon të pandehurës M.B. për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak në masën paraqitja në stacionin policor dhe e njëjta do të mbrohet në liri”, ka thënë ajo.

Sipas këtij njoftimi, dy të pandehurve Krasniqi kjo masë e arrestit shtëpiak u është caktuar nga gjykata në kohëzgjatje prej dy muaj. /Insajderi.com