Në prag të takimit të Kosovës e Serbisë në Uashington, me datën dy të muajit tjetër, ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov është deklaruar rreth dialogut. Ai ka thënë se nuk duhet të ketë ndërhyrje të jashtme, çka do ta penalizonte njërën palë, e do t’i ndihmonte tjetrës.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, është deklaruar rreth dialogut Kosovë – Serbi.
Lavrov ka pohuar se forcat e jashtme nuk duhet të ndërhyjnë në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, duke bërë presion tek njëra palë, njofton Insajderi.
Sipas Lavrov ndihma e jashtme në dialog “duhet të jetë pa shantazhe dhe pa gjarpërime në raport me njërën palë, kurse palës tjetër t’i stimulohen orekset e dyshimta”, shkruan agjencia ruse e lajmeve Tass.
Kosova e Serbia pritet që me dy shtator të takohen në Uashington, ku do të priten në Shtëpinë e Bardhë nga emisari special, Richard Grenell.
Takim ky që supozohej të mbahej në korrik të këtij viti, por që u anulua pasi një ditë më parë Gjykata Speciale bëri publike një aktakuzë për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte një nga personat që do ishte i pranishëm në takim.