LB kërkon që Lugina e Preshevës të përfshihet në zgjidhjen mes Kosovës e Serbisë

LB kërkon që Lugina e Preshevës të përfshihet në zgjidhjen mes Kosovës e Serbisë

Lëvizja për Bashkim vazhdon ta proklamojë “shkëmbimin territorial” si zgjidhje ndërmjet Kosovës e Serbisë, njofton Insajderi.

“Reciprociteti në të drejta në paralelen Preshevë-Bujanoc-Medvegjë, në njërën anë, dhe Leposaviq-Zveçan-Zubun Potok, në anën tjetër, është çelësi i vetëm i daljes nga rrethi vicioz i bisedimeve të pafundme Kosovë-Serbi”, thuhet në kumtesën e kësaj partie.

Ky reagim i partisë që drejtohet nga Valon Murati, erdhi një ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ta takojë në Bruksel presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Por, LB mendon se dialogu edhe më tutje po vazhdon pa një platformë politike e koncept të qartë rreth dialogut.

“Edhe Qeveria e re e Kosovës, në bisedimet me Serbinë, po e vazhdon avazin e vjetër: Pa platformë politike, pa koncept të qartë për zgjidhjen e problemeve dhe me një papërgjegjësi të plotë karshi momentit historik për shtrimin e drejtë dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura të pazgjidhura ndërmjet Kosovës e Serbisë”.

Sipas këtij subjekti politik, “Serbia po ngulmon që fillimisht të implementohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, vërehet qartazi se Qeveria e Kosovës po përpiqet që t’i prolongojë bisedimet dhe ta ruaj status quo-në”.

“Në të dyja raste, nga situata e sotme, fituese do të dalë Serbia, e, natyrisht, humbëse Kosova”, vazhdon reagimi. /Insajderi.com