
Lidhja Demokratike e Kosovës akuzuar Presidentin Hashim Thaçi se është bërë pjesë e parafushatës zgjedhore me vendimin e tij për të vizituar shkollat në Kosovë.
“Nisja e turneut të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nëpër shkolla të ndryshme, gjoja për t’i vizituar nxënësit dhe mësimdhënësit, janë përpjekje e tij për t’i dalë në ndihmë fushatës së koalicionit të mesnatës, për krijimin e të cilit, një rol të rëndësishëm ka luajtur ai”, thuhet në një reagim të LDK-së.
“Praktikat e mëhershme të trajtimit të padinjitetshëm të mësimdhënësve nëpër fushata zgjedhore, sikur rasti në balotazhin për kryetar të Komunës së Drenasit, të aplikuara nga Thaçi, kanë dëmtuar reputacionin e institucionit të Presidentit të Republikës”.
LDK ka thënë se kërkon nga Thaci të heqë dorë nga “turneu i tij parazgjedhor” për të evituar shkeljen kushtetuese “të cilën do të ishim të detyruar ta adresonim”.
“Kjo nuk është hera e parë që Thaçi ndërhynë tek institucionet e pavarura për t’i krijuar favore partisë së tij – PDK-së. Thaçi ka qenë pengesa kryesore gjatë procesit të çkapjes së Doganave të Kosovës, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në procesin e zgjedhjes së drejtorit. Qytetarët e Kosovës e dinë se pas çkapjes së Doganave dhe Administratës Tatimore nga Qeveria e drejtuar nga LDK, të hyrat në arkën e shtetit u shtuan 400 milionë euro. Këto mjete edhe më parë kanë mundur të inkasohen po të kishte vullnet politik”, thotë LDK.
“Ne ju bëjmë thirrje oponentëve tanë politikë, duke përfshirë edhe Thaçi si i rreshtuar kah koalicioni i mesnatës, që të mos keqpërdorin taksat e qytetarëve për qëllime elektorale”./Insajderi.com