LDK: Çdo ditë pa institucione, humbje për Kosovën

LDK: Çdo ditë pa institucione, humbje për Kosovën

Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, kjo parti i ka bërë thirrje spektrit politik që të veprojë konform Kushtetutës, si dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth mbajtjes së seancës konstituive.

Sipas LDK-së, Kosova nuk ka kohë që të përballojë gjendjen pa institucione dhe nëse ndodhë një gjë e tillë, atëherë qytetarët do të ishin në humbje.

Përmes një njoftimi, LDK ka bërë me dije se në mblehdje kanë diskutuar edhe rreth kandidatëve për kryetarë të komunave për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës zhvilloi takim me kryetarët e degëve të LDK-së, pas takimit të djeshëm të Kryesisë Qendrore të partisë.

Të dy takimet u kryesuan nga Kryetari i LDK-së, njëherësh Kryeministër, Akademik Isa Mustafa.

Në takimin e Kryesisë së LDK-së është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, posaçërisht rreth seancës konstituive të Kuvendit.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, vlerëson se Kosova nuk ka kohë dhe nuk mund të përballojë gjendjen pa institucione dhe se çdo ditë e humbur pa institucione është humbje për qytetarët e Kosovës. LDK i bën thirrje tërë spektrit politik që secili të merr përgjegjësitë e tyre politike dhe t’i ushtrojë ato konform Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth seancës konstituive, duke mos i bllokuar institucionet.

Në takimin me kryetarët e degëve, u diskutua për kriteret për kandidatë për kryetar të komunave dhe këshilltarë komunal si dhe përgatitjet tjera organizative.

Me kërkesë të disa kryetarëve të degëve, LDK përmes degëve të saj në diasporë, do të organizojë takime informuese rreth procesit të votimit në diasporë, pasi që një numër i madh i veprimtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së, kanë shprehur interesimin të votojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale.