LDK deklarohet kundër qeverisë teknike – flet për koalicionet zgjedhore

LDK deklarohet kundër qeverisë teknike – flet për koalicionet zgjedhore

Me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur kryesinë e saj, shkruan Insajderi.com

Isa Mustafa, lider i kësaj partie, ka deklaruar se që nga sot vendi është në zgjedhje dhe se partia e tij nuk pranon asnjë zgjidhje tjetër përpos shkuarjes në zgjedhje.

“Mendoj se Presidenti i Republikës nuk mund të bëjë qeveri vet. Për qeveri duhet të ekzistojë vullneti i subjekteve politike, qoftë i atyre që e kanë qe në koalicion, qoftë i neve në opozitë. Sa i përket LDK-së, ne nuk pranojmë asnjë zgjidhje tjetër, për pos shkuarja në zgjedhje dhe ne konsiderojmë se prej ditës së sotme, vendi është në zgjedhje”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se nuk ka dashur që të shkohet në zgjedhje në këtë formë, përmes dorëheqjes së kryeministrit sepse kemi pritur që ta rrëzojmë qeverinë duke konsideruar se kjo qeveri nuk mund ta qeverisë më tutje vendin.

“Jo vetëm qeveria që e ka drejtuar Zoti Haradinaj, por koalicioni PAN, i cili është sjellë në mënyrë totalisht të papërgjegjshme ndaj nevojave dhe kërkesave të vendit”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka potencuar se asnjë qeveri nuk e shohin si mundësi, as ajo teknike, përveç asaj që del nga zgjedhjet dhe se formimi i një qeverie teknike, është akt i ulët dhe fyerje për LDK-në.

“Ne i përmbahemi parimeve, parimet janë zgjedhjet e lira, të jashtëzakonshme që duhet të mbahen, sepse jemi në një situatë mjaft të keqe në vend”, ka shtuar më tutje Mustafa.

E për koalicionin e mundshëm mes LDK-së dhe VV-së, Mustafa ka thënë se kur të hynë në zgjedhje, do të vendosin edhe lidhjet për koalicione pasiqë sipas tij, LDK i ka parimet e veta dhe do të sillet në bazë të tyre./Insajderi/