LDK e cilëson të padrejtë dhe të panevojshme kërkesën e AAK-së për presidentin

LDK e cilëson të padrejtë dhe të panevojshme kërkesën e AAK-së për presidentin

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe ministër i Infrastrukturës, Arban Abrashi, thotë se kërkesa e Aleancës për Ardhmëri të Kosovës për postin e presidentit, po shihet si e padrejtë dhe e panevojshme, njofton Insajderi.

Abrashi shprehet se mospajtimet brenda koalicionit mund të jenë edhe të natyrshme, teksa shton se takimet mes krerëve të partive në koalicion janë të rregullta dhe diskutojnë për çështje të ndryshme të koalicionit.

“Për presidentin, marrëveshjen të cilën e kemi nënshkruar dhe deri sot nuk është diskutuar. Është e vërtet që zyrtarë të AAK-së, duke përfshirë edhe vet kryetarin Haradinaj kanë shpreh interesin e tyre për atë pozitë. Nuk është diskutuar deri më tani, por me afrimin e kohës kur është edhe mandati i përcaktuar, sepse tani është, e shohim të padrejtë dhe të panevojshme tani kur kemi një president në detyrë. Megjithatë, kur të vjen koha e përshtatshme dhe zgjedhjet për president, atëherë duhet të ulemi dhe të shohim si janë mundësitë dhe kush duhet të jetë ajo figurë”, thotë Abrashi për KosovaPress.

Derisa javë më parë Abrashi kishte thënë se presidenti i takon LDK-së, ai tashmë deklaron se nuk e kanë e trajtuar ende këtë çështje se kujt i takon pozita e presidentit.

Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që pjesë e ‘lojës’ për president të bëhet edhe PDK-ja.

“Nuk e kemi trajtuar fare si temë besoj që pas Vitit të Ri, atëherë edhe kur fillojnë afatet të rrjedhin atëherë duhet të ulemi dhe të diskutojmë… Takime ka, krerët janë takuar edhe javën e kaluar, temat kryesore përpos çështjeve të koalicionit dhe qeverisjes është diskutuar shumë edhe për dialogun”, thekson ai.

Ministri i Infrastrukturës, Abrashi ka thënë se pavarësisht mospajtimeve, koalicioni është i qëndrueshëm me AAK-në.

“Koalicioni është i qëndrueshëm, tash ka edhe kritika, ka këshilla për secilën çështje. Të cilat duhet të merren si të natyrshme, e mira është që krerët ose ata që e mbikëqyrin koalicionin si kryetari Mustafa dhe Haradinaj takohen në baza të rregullta dhe diskutojnë edhe për çështjet të ndryshme edhe për koalicion. Mendoj s është stabil dhe nuk e shoh ndonjë problem në këtë aspekt”, theksoi Abrashi. /Insajderi.com