Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se janë të gatshëm të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, pas gjendjes së krijuar me pandeminë, njofton Shqip.com.
Përmes një postimi, Gashi tha se sasia e vaksinave në dispozicion, procesi i organizimit të vaksinimit të qytetarëve dhe situata e rënduar në sistemin shëndetësor, janë disa nga temat që duhet të diskutohen në Kuvend.
“Numri rekord i rasteve të vdekjes dhe i atyre të infektuar, sasia e vaksinave në dispozicion dhe procesi i organizimit të vaksinimit të qytetarëve, si dhe situata e rënduar në sistemin shëndetësor, janë vetëm disa nga temat e domosdoshme për diskutim të menjëhershëm nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend”, tha ai.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të mbajtur sot, tha se janë hequr nga administrimi 133 mijë e 234 vaksina të Astra Zenecas për shkak se u kishte skaduar afati.
Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë regjistruar 22 vdekje dhe një mijë e 894 raste të reja me COVID-19./Insajderi.com