LDK e mbështetë PDK-në për projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së

LDK e mbështetë PDK-në për projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë vlerësuar se mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-sëm duhet të trajtohet pa dallime politike, ndërsa u zotuan se nuk do të munfojë kontributi i tyre në këtë drejtim.

Këto qëndrime i bënë të ditura para tryezës së përbashkët, në mes të grupeve parlamentare si dhe organizatave OVL UÇK, SHIL UÇK, SHFD UÇK.

Deputeti nga radhët e PDK-së Gazmend Bytyçi, ka thënë se në prill të këtij viti partia në të cilën bën pjesë, e ka riiniciuar këtë ligj dhe se tani janë në fazën e punimit dhe draftimit. Ai tutje, u bëri thirrje partive politike, që të bashkohen dhe të gjejnë formën e modalitetin më të mirë se si ta trajtojnë këtë ligj.

“Jemi në një tryezë bashkëbisedimi për ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës, siç e dini ky ligj është iniciuar në vitin 2018, nga kryetari i parlamentit të asaj kohe Kadri Veseli, me ndryshime të qeverisë së atëhershme ky ligj ka mbetur pa kaluar nëpër procedura dhe pa u miratuar. Si të tillë me datën 27 të këtij viti në emër të grupit parlamentar të PDK-së e kemi ri iniciuar këtë ligj dhe tani jemi në fazën e punimit dhe draftimit të këtij ligji. Arsyeja e kësaj tryeze është që ne si përfaqësues të partive politike së bashku me shoqatat e dala nga lufta që të gjejmë formën e modalitetin më të mirë se si ta trajtojmë këtë ligj. Me aq sa shihet ekziston një vullnet për një unitet të madh politik që këtë ligj ta trajtojmë pa dallime politike”, ka thënë ai.

Kurse, deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku, ka thënë se pa asnjë hezitim do të japin kontributin e tyre në përkrahje të këtij ligji.

“Në kuadër të Komisionit për Arsim, ka ardhur ky projektligj që të shqyrtohet në komisionin tonë dhe të gjithë anëtarët e komisionit kanë përkrahur unanimisht këtë ligj. Pa hezitim do të japim kontributin tonë që të pasurojmë këtë ligj me propozimet tona si LDK dhe ky projektligj do të ketë përkrahjen tonë të pa rezervë në Kuvend po sa të përpilohet dhe të vihet në votim”, ka thënë ajo.

Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. /Insajderi.com/