LDK e VV pajtohen për koalicion, por s’heqin dorë nga kushtet për njëra tjetrën

LDK e VV pajtohen për koalicion, por s’heqin dorë nga kushtet për njëra tjetrën

Lidhja Demokratike e Kosovës është e interesuar të arrijë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për të bashkëqeverisur në mandatin e ardhshëm katër vjeçar, por vetëm me dhënien e atyre çfarë ka kërkuar kjo parti.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në kryesinë e partisë kanë diskutuar gjerë e gjatë dhe se konkludimi ka qenë se janë të interesuar të gjithë për një marrëveshje me VV-në, shkruan Gazeta Insajderi.

Madje, ajo tha se në kryesi e kanë përcaktuar qartë se LDK-ja negocion vetëm me VV-në, për të arritur marrëveshje për koalicion dhe se nuk ka opsione tjera.

“Kemi diskutuar shumë gjëra dhe konkludimi i përbashkët ka qenë që ne jemi të interesuar të arrijmë marrëveshje me VV-në. Secili anëtar e ka shprehur vullnetin që të eliminohen keqkuptimet që kanë qenë deri me tani. Këto pak ditë që kanë mbetur duhet të shfrytëzohen nga ne dhe partneri i ardhshëm qeverisës dhe të arrijmë marrëveshjen dhe t’i lëmë anash fajësimet”, ka thënë Osmani, raporton Insajderi.

Por, marrëveshja sipas Vjosa Osmanit, duhet të arrihet sipas kërkesave dhe ofertave që ka bërë LDK-ja për partinë që i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

“Jo, jo nuk e thash një gjë të tillë, ne jemi të interesuar të kthehemi në tavolinë të diskutimeve dhe propozimet që i ka bërë LDK-ja kanë qenë me qëllim arritjen e marrëveshjes dhe e tillë ka qenë edhe e fundit. VV do duhej ta shihte si të tillë. Të tjerat do të diskutohen në tavolinën e negociatave”, theksoi Osmani, pasi u pyet nëse LDK është e gatshme të lëshojë pe për postin e kryetarit të Kuvendit.

Pavarësisht dëshirës së të dyja palëve për të arritur marrëveshje, asnjëra nga subjektet politike nuk po heq dorë nga kërkesat e tyre.

Teksa LDK-ja po kërkon postin e kryetarit të Kuvendit, për siç po thonë ata, balancim të pushtetit, Vetëvendosja ka refuzuar që ta shkarkojë Glauk Konjufcën nga kjo pozitë, në të cilën është zgjedhur me 26 dhjetor. /Insajderi.com