Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës (partia prej nga ai vjen) ende nuk ka dikustuar për kandidatin për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në vend, njofton Insajderi.
Ai u shpreh se në ditët e ardhshme beson që kjo çështje do të mbyllet.
“Ne ende nuk e kemi diskutuar këtë çështje më strukturat tona të partisë, besoj qe në ditët e ardhshme do të përmbyllet kjo çështje, shpresoj që edhe vendimi do te bëhet publik i Gjykatës Kushtetuese dhe mandej hyjmë në afate kushtetuese të cilat duhet t’i respektojmë”, tha Hoti.
Tutje, i pari i ekzekutivit ka shtuar se organizmi i zgjedhjeve në kohë pandemie do të jetë sfidë.
“Organizimi i zgjedhjeve në kohë pandemie vërtetë ka me qenë sfidë por tani ky është vendim që nuk diskutohet dhe ne duhet të bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe të gjitha institucionet përkatëse që janë përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, do ta kenë mbështetjen e plotë edhe te qeverisë, edhe institucioneve tjera për të organizuar zgjedhje të lira e demokratike”, tha ai.
Këto komente Hoti i bëri gjatë vizitës në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës./Insajderi.com