Partia e ish-kryeministrit Isa Mustafa, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka fajësuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për humbjen në komunën e Prizrenit.
Deputeti i LDK-së, Lumir Abdigjiku, ka thënë se partia e tij ka qenë e bindur se në Prizren dhe Mitrovicë do të shkonin në balotazh dhe do ta fitonin balotazhin.
Teksa në Mitrovicë ka fajësuar mobilizimin kundër LDK-së në ditët e fundit por pa fajësuar dikë në mënyrë specifike, kur ka folur për Prizrenin ka fajësuar direkt presidentin Thaçi.
“Në Prizren kemi pasur një kandidat të shkëlqyeshëm një fushatë të shkëlqyeshme, por duhet ta them publikisht se në Prizren është bërë një ndërhyrje nga presidenti gjatë fushatës. Ka pasur negociata të mëdha që ka bërë të na tërhiqen 10 mijë vota”, ka thënë Abdigjiku.
Sipas tij, presidenti i vendit ka bërë një fushatë në Prizren duke organizuar takime me persona të ndryshëm të cilët kanë punuar që të mos jepet votë për LDK-në.
“Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës kemi qenë mjaftë mirë me votuesit në komunën e Prizrenit dhe komunën e Mitrovicës, por fatkeqësisht Presidenti i Kosovës pak para zgjedhjeve bënte vizita të shpeshta në këto dy komuna, dhe kjo ndikoi që të humbim një pjesë të votuesve dhe të dalim me rezultate jo të kënaqshme me këto dy komuna”, ka thënë Abdigjiku./Insajderi.com