LDK ia ‘gjuan topin’ VV-së: Atyre iu takon të na ftojnë në takim

LDK ia ‘gjuan topin’ VV-së: Atyre iu takon të na ftojnë në takim

Sot është bërë një javë prej kur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë zhvilluar takim për arritjen e koalicionit qeverisës.

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë për Gazetën Insajderi, se i takon Lëvizjes Vetëvendosje ta ftojë LDK-në në takim.

Mustafa ka thënë se janë në pritje të ftesës nga VV për takime dhe diskutime për arritjen e koalicionit. Ai është shprehur i gatshëm që marrëveshja mes dy partive të arrihet.

“Kam goxha shpresë që do të ndodhë kjo marrëveshje. Nuk kam asnjë arsye të mendoj që nuk do të ndodhë”, ka deklaruar Mustafa.

Ndërsa, Mustafa ai nuk ka dashur ta komentojë çështjen e postit të Presidentit.

“Të gjitha këto tema do të diskutohen në tavolinën e diskutimeve. Këto mbesin të diskutohen mes përfaqësuesve të të dy partive.”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së për Insajderin.