Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Gjilan ia ka kujtuar serinë e përgjimeve të "Dosjes së Shefave" kreut të degës së PDK-së në Gjilan, Zenun Pajaziti, pas akuzave të PDK-së ndaj kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, për punësime të jashtëligjshme.
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan ka reaguar ndaj akuzave drejtuar kreut të kësaj komune, Lufti Haziri, nga Partia Demokratike e Kosovës, për punësime të jashtëligjshme, duke i cilësuar akuzat e tilla si të “pavërteta dhe tendencioze”.
LDK në këtë rast, i ka kujtuar PDK-së kohën kur lideri i kësaj partie në Gjilan, Zenun Pajaziti, tenonte të punësonte vëllanë e tij, Gëzim Pajaziti, në Bordin e ujësjellësit të Gjilanit.
LDK mbështetet në dëshmitë që paraqiten në Dosjen XXVIII, përmes një bisede të ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci dhe Zenun Pajazitit, shef aktual i Grupit Parlamentar të PDK-së, raporton Insajderi.
“Kjo parti opozitare e ka tepruar me deklarata nën maska dhe i ftojmë për heqjen e maskave. Qytetarët e Gjilanit e dinë edhe e mbajnë në mend mirë aferën “Pronto” kur Zenun Pajaziti tenton ta punësoj vëllaun e vet”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Në serinë e fundit të “Dosjes së Shefave” – të publikuar më 5 tetor të këtij viti, Adem Grabovci ia lexonte emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit të ujësjellësit të Gjilanit, Zenun Pajazitit. Pajaziti i seleksiononte ata në bazë të përkatësisë politike, e jo në bazë të kritereve të kërkuara me ligj dhe me konkurs.
Në mesin e mbi njëzet vetave që synuan bordin e “Hidromoravës” në Gjilan, gjendej edhe emri i vëllait të Zenun Pajazitit.
Pajaziti i përgjigjet me “Po” Adem Grabovcit, kur ai lexon emrin e vëllait të tij dhe pret përgjigje se a është i duhur për bord të ndërmarrjes publike.
“Po bon me shti, tani e kqyrum”, pohonte Pajaziti kur lexohet emri i vëllait të tij.
Gëzim Pajaziti nuk arriti të emërohej në bordin e kësaj ndërmarrjeje. Procesi i emërimit të anëtarëve të rinj të bordeve më 2011 nuk lëvizi drejt finalizimit. Qeveria pati vendosur që anëtarëve aktual t’ua vazhdonte mandatin. /Insajderi.com