
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që ta përkrah kandidaturën e Burim Berishës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas njoftimit të AAK-së, vendimi është marrë pas konsultimit me të gjitha strukturat dhe anëtarësinë e kësaj partie në këtë komunë.
“Vota e çdo anëtari të AAK-së në Fushë Kosovë, nga sot konfirmon rreshtim të vullnetshëm të elektoratit të saj për mbështetje të plotë të Z. Burim Berisha, i cili me datë 14 Nëntor 2021 përmes verdiktit të popullit do të jetë Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.
Burim Berisha në zgjedhjet e 17 tetorit fitoi 7.842 vota apo 49.96 për qind, dhe ishte vetëm pak vota larg fitores pa balotazh.
Në garën e balotazhit ai do të ketë përballë Enver Bajçincën e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili mori 3.977 vota apo 25.33 për qind.
AAK-ja ndërkohë mori vetëm 365 vota./Insajderi.com