Lidhja Demokratike e Kosovës është marrë sërish me gjetjet që Policia e Kosovës tha se i gjeti në zyrat që menaxhohen nga Vetëvendosje.
Përmes një komunikate për medie, Kolegjiumi i Degëve të LDK-së ka falënderuar policinë për parandalimin që i bëri një “gjakderdhjeje të mundshme” të enjten, me rastin e protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë.
“Në emër të Degëve të LDK-së të Prishtinës, anëtarësisë sonë të shumtë, shprehim indinjatën tonë të thellë dhe dënojmë ashpër tendencën dhe synimin e rrezikimit të jetës dhe pronës së qytetarëve të Prishtinës dhe të Kosovës, nga anëtarë të VV, nga arsenali luftarak i gjetur para disa ditësh dhe ajo qe u gjet në depon mund të thuhet lirisht ushtarake të VV-së që dje u prezantua para mediave nga ana e Policisë së Kosovës. Përgëzojmë policinë e Kosovës për punën e bërë dhe për pengimin, preventivën, parandalimin e gjakderdhjes”, ka thënë LDK në komunikatën e saj.
LDK shtron pyetjen se kush po iu beson me “mbrojtësve” anarkistë dhe më shumë se kaq, të Republikës së Kosovës, pothuajse askush.
“Këtu përjashtim mund të bëjnë dhe ndoshta jo të gjithë ata, militantët që po i punësojnë dhe paguajnë në Komunën e Prishtinës, se janë pak që ju besojnë, u pa të enjten në protestën e dështuar, me një numër simbolik të protestuesve. Nuk ‘mbrohet’ Republika duke e djegur, duke mos e njohur atë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK i ka thënë LVV-së se “nuk mund ta shkatërroni atë që është ndërtuar dhe po ndërtohet nga qytetarët dhe Institucionet e Kosovës”.
“Sepse janë qytetarët e Kosovës që nuk ju përkrahin juve, dhunen tuaj, synimet tuaja. Ju nuk do të mund t’i largoni nga ne miqtë tanë, SHBA-të dhe shtetet e BE-së. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës prej themelimit të saj, tani dhe ne të ardhmen janë këta miq që kemi, qytetarët e Kosovës dhe Shteti ynë i ka këta miq dhe përkrahës, një gjë e dimë nuk i kemi miq dhe përkrahës Rusinë dhe neokomunistët… Shtrohet pyetja kush janë miqtë tuaj?… këtë më së miri ju e dini…”, thuhet në reagimin e LDK-së. /Insajderi.com