LDK-ja kritikon Shpend Ahmetin për gjendjen e shkollave në Prishtinë

LDK-ja kritikon Shpend Ahmetin për gjendjen e shkollave në Prishtinë

Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Gashi, në një konferencë për media ka kritikuar gjendjen e shkollave në Komunën e Prishtinës.

Ai ka thënë se gjendja e këtyre shkollave nuk përputhet me fjalët e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, i cili, sipas tij, kishte deklaruar që të gjitha shkollat janë të gatshme për ta filluar mësimin, raporton EO.

“Sot në radhë është fusha e arsimit që ta shtrojmë, ku pas deklaratës së kryetarit të Prishtinës, i cili doli me një deklaratë që të gjitha shkollat e Prishtinës janë të gatshme për të filluar vitin shkollor, ne mendojmë që kjo deklaratë e kryetarit të Prishtinës nuk përputhet me realitetin”.

“Ne po i identifikojmë disa çështje që i vlerësojmë që nuk janë bërë punë të kryera ashtu siç duhet”.

Ndërkohë ai ka paraqitur disa shembuj që, sipas tij, shkollat nuk po qeverisen siç duhet.

“Ka shembuj në shkolla ku drejtori mbahet si ushtrues detyre. Nëse këto kuadro nuk e meritojnë të mbajnë këto pozita, atëherë duhet ta lirojnë atë vend. Asnjë sqarim nuk është dhënë, së paku konkurrentëve dhe nuk përfundon me vite përzgjedhja e drejtorëve, ku shembull eklatant është  tema ku që disa vite është drejtoresha e njëjtë. Unë e kuptoj zonën e Veternikut ku shkollat nuk mund t’i plotësojnë nevojën, por s’e kuptoj regjistrimin prej Fushë Kosovës në Prishtinë ose prej Vranjevcit në ‘Faik Konicë’, sepse këto e mundësojnë një disbalanc në regjistrimin e fëmijëve”, tha ai.