LDK-ja nis shqyrtimin e ofertës së fundit nga Vetëvendosje

LDK-ja nis shqyrtimin e ofertës së fundit nga Vetëvendosje

Zyra për informim e LDK-së, nëpërmjet zëdhënësit Besian Mustafa ka bërë të ditur se kanë marrë një propozim të ri nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka bërë të ditur se propozimin e Kurtit që u ka shkuar mbrëmë, ky subjekt do të shqyrtohet ditëve në vijim.

“Dje nga LVV-ja kemi pranuar një propozim shumë të ngjashëm me atë të paraqitur nga ta në takimin e fundit të javës së kaluar, me disa ndryshime të vogla, të cilat do të shqyrtohen në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Gazeta Insajderi raportoi se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka dërguar mbrëmë vonë ofertën e re kryetarit të LDK-së, Isa Musatafës.

Kurti në këtë ofertë të cilën e ka siguruar Insajderi, Kurti ka propozuar rritjen e numrit të ministrive edhe për dy, nga 12 sa ishin marrë vesh fillimisht këto dy parti në 14 ministri.

Bazuar në këtë ofertë Kurti ka propozuar që Lidhja Demokratike e Kosovës të ketë gjashtë ministri, Lëvizja Vetëvendosje pesë, derisa minoritetet tri ministri, shkruan Gazeta Insajderi.

Në këtë ofertë janë detajuar të gjitha pozitat që do të mbante secili subjekt.

“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri i 2-të, një nën-kryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takonin Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në propozim.

Lëvizja Vetëvendosje, në këtë propozim ka ofruar që LDK të ketë zëvendëskryeministrin e 1-rë, nënkryetarin e 1-rë të Kuvendit, 6 ministri, dy zv.ministra më shumë se LVV.

Po ashtu VV është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për President i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese.

“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhet në propozim./Insajderi.com