LDK-ja synon rrëzimin e qeverisë me votat e Nismës

LDK-ja synon rrëzimin e qeverisë me votat e Nismës

Me iniciativë të deputetëve të Nismës para një viti e gjysmë ishte rrëzuar qeveria “Mustafa”. Zyrtarët e LDK-së synojnë që nëpërmjet “xhokerit” të njëjtë ta rrëzojnë edhe qeverinë “Haradinaj”, pasi votat e opozitës nuk mjaftojnë për të kaluar mocioni i votëbesimit.

Por deputetët e partisë së Fatmir Limajt mohojnë të kenë diskutuar për këtë çështje, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Partia e ish-kryeministrit Isa Mustafa (LDK) është duke u koordinuar me partitë tjera opozitare për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit pasi, siç thonë ata, vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Por votat e opozitës nuk janë të mjaftueshme të kalojë mocioni në Kuvend, prandaj partia më e madhe opozitare po synon që t’i bindë edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës, përkatësisht ata të Nismës që ta përkrahin iniciativën e tyre.

Qeveria e ish-kryeministrit të LDK-së Isa Mustafës, ishte rrëzuar pikërisht nga iniciativa e nisur në Kuvend nga deputetët e Nismës, prandaj zyrtarët e LDK-së po synojnë që nëpërmjet të njëjtit “xhoker” ta rrëzojnë edhe qeverinë “Haradinaj”.