LDK-ja tregon dy arsyet pse duhet të ketë zgjedhje para marrëveshjes me Serbinë

LDK-ja tregon dy arsyet pse duhet të ketë zgjedhje para marrëveshjes me Serbinë

Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas mbledhjes kryetari i kësaj partie edhe një herë ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Sipas tij, është e domosdoshme që fillimisht të ketë proces zgjedhor e pastaj të vazhdohet dialogu dhe t’i hapet rruga marrëveshjes përfundimtare.

Isa Mustafa ka thënë se qeveria nuk e ka shumicën për tu marrë me temën e dialogut, e presidenti nuk është i mandatuar nga Kuvendi, shkruan Insajderi.

“LDK-ja vazhdon të qëndrojë pranë bindjes së saj se insitucionet e tanishme nuk mund ta bartin këtë proces. As qeveria që nuk e ka shumicën, dhe as presidenti nuk ka mandat ta bëjë këtë punë pasi nuk është mandatuar nga Kuvendi. Si LDK do të jemi të gatshëm të hyjmë në këtë proces pas legjitimimit qytetar, pasi për shkak të një procesi serioz në Kosovë duhet të mbahen sa më shumë zgjedhje tjera”, ka thënë Mustafa.

Ai ka vlerësuar se qeveria duhet të jap dorëheqje, përderisa e ka pranuar që mocioni është ende larg.

“Janë pjekur kushtet që qeveria të jap dorëheqje dhe Parlamenti të shpërndahet. Një parlament që nuk mund ta përfundojë një mbledhje është parlament jofunksional. Një qeveri që merret vetëm me shpenzime të buxhetit dhe me asnjë punë tjetër, nuk është qeveri që e meriton Kosova”, deklaroi Isa Mustafa.

Mustafa ka bërë të ditur qëndrimin e LDK-së që ndryshimi i kufijve nuk duhet të vie në shprehje si zgjidhje finale me Serbinë.

Gjithashtu e ka përmendur edhe Asociacionin.

“As ndryshimi i kufijve nuk vjen fare në shprehje si zgjidhje finale me Serbinë. As pushteti tretë dhe as ndonjë krijesë me kompetenca ekzekutive nuk duhet të vjen në shprehje pasi e defunksionalizon Kosovën”, deklaroi kryetari i LDK-së. /Insajderi.com