Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot Kuvendin e jashtëzakonshëm, ku pritet të zgjidhet kryetari i ri pas dorëheqjes së Isa Mustafës nga kjo pozitë të cilën e mbajti për 10 vjet, njofton Insajderi.
Në Kuvendin Zgjedhor, që do të fillojë nga ora 10:00, marrin pjesë 355 delegatë nga të gjitha degët e kësaj partie.
Në garë për të parin e LDK-së janë paraqitur katër kandidatura deri tani, ajo e Lutfi Hazirit, Lumir Abdixhikut, Anton Qunit dhe Besian Mustafës.
Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së pas rezultatit jo të mirë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ku partia e udhëhequr nga ai u rendit në vendin e tretë me 12.73 për qind të votave.
Kryetari i ri i LDK-së do ta drejtojë partinë për dy vitet e ardhshme, ku edhe do të mbahet Kuvendi i rregullt zgjedhor.
Kreu i ri do të jetë i katërti që nga themelimi i kësaj partie në vitin 1989. /Insajderi.com