
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paraqitur ankesë sot pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në të cilën pretendohet se përmes tri metodave të votimit është manipuluar rezultati i zgjedhjeve në Komunën e Istogut.
LDK thotë se ka prova për “manipulimin e procesit të votimit me postë në Istog”. Kjo parti, po ashtu ka thënë se ka prova mbi këto pretendime.
LDK ka thënë se posedon fotografi nga varret e personave që kanë vdekur vite më parë, e që kanë “votuar” në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Istogut, raporton Gazeta Online Insajderi.
“Aktvdekjeje, madje edhe fotografi të varreve të personave të cilët kanë vdekur vite më parë e që në këtë proces del të kenë ‘votuar’ përmes postës për kryetar të Komunës së Istogut”, thuhet në ankesën që LDK e ka paraqitur në PZAP.
Pas numërimit të votave me postë dhe atyre me kusht, në Istog është përmbysur rezultati preliminar i raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në këtë komunë. /Insajderi.com