Analisti politik kosovar, Faton Abdullahu, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës, ka një plan të qartë dhe ka filluar ta jetësojë, për t’a bërë Isa Mustafën president të Kosovës.
“LDK-ja nuk po e fsheh që po e do kandidatin e vet për kryetar shteti. Do të bëjë marrëveshje më kë të mundet. Ka një element të rëndësishëm në këtë aspekt, i cili është fakti që LDK dhe Mustafa po e paraqesin PDK-në, si forcë politike që është në opozitë, por e cila mezi po pret që të hyjë në pushtet”, tha fillimisht Abdullahu, në televizionin Klan Kosova, transmeton Insajderi.
Ai, mendon se kjo strategji e LDK-së, për t’a faktorizuar PDK-në, është me qëllim të “planit” për ta neutralizuar AAK-në.
“Për ta amortizuar kërkesën e AAK-së, që të bëhet president Haradinaj, për ta bërë këtë LDK po i thotë tërthorazi AAK-së, që ju mund të insistoni, ne s’ju përkrahim dhe nëse largoheni nga qeveria nuk prishet; ngase është dikush tjetër që mezi pret të vijë në pushtet dhe të marrë pushtetin”, është shprehur ai./Insajderi.com.