Me kërkesën për zbardhjen e vrasjeve të aktivistëve të saj pasluftës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar 27-vjetorin e themelimit të partisë në Podujevë. Kërkesë të njëjtë sot ka shprehur edhe Dega e LDK-së në Gjilan.
Zbardhja e vrasjeve politike ishte kërkuar me kembëngulje nga Isa Mustafa dhe drejtuesit e tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet qëndrore më 2014.
Por, pas ardhjes në pushtet këto kërkesa janë lënë në harresë nga krerët e partisë, të cilët krijuan koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.
Pikërisht me PDK-në që tashmë udhëhiqet nga Kadri Veseli, ndaj të cilit hedheshin akuzat për vrasjet e aktivistëve të saj. Veseli akuzohej për kohën sa ishte udhëheqës i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).
E partia e Isa Mustafës duket se ka filluar fushatën, para zgjedhjeve të ardhshme që pritet të mbahen në fundin e këtij viti, duke kërkuar edhe njëherë drejtësi për vrasjet politike të kryera pasluftës.
LDK shënoi 27-vjetorin e themelimit të partisë në degët e saj në Rahovec e Podujevë, përmes tubimeve në të cilat mori pjesë edhe kryetari i partisë, Isa Mustafa. Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, manifestimin e 27 vjetorit të themelimit të degës në Podujevë e shfrytëzoi për të kërkuar zbardhjen e këtyre vrasjeve.
“Pashmangshëm këto ditë i kujtojmë më pietet prijësit e intelektualët, ideologët e veprimtarët, deputetët e kryetarët që ranë e na i vranë, që ndërruan jetë por bënë vepra hero e martirë lirie, si Fehmi Agani, Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Shaban Manaj, Latif Berisha, Ismet Rraci, Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyçi, ushtarakë e veprimtarë tjerë dhe Fadil Ferati mbetën shëmbëlltyra dhe dedikim nderimi. Ndërsa shteti obligim drejtësinë, a krimit politik ndëshkimin, gjithsesi”, u shpreh Veliu.
Por, Bajram Gecaj, anëtar i LDK-së dhe këshilltar aktual i kryeministrit Isa Mustafa, i quajti të pavërteta deklarimet se “LDK përmend vrasjet politike vetëm para zgjedhjeve”.
Sipas Gecajt, LDK nuk i ka përdorur vrasjet e aktivistëve të saj për të bërë fushatë, raporton Gazeta Online Insajderi.
“Deklarime banale, të pavërteta dhe plotësisht jo të sinqerta janë ato që LDK përmend vrasjet politike vetëm para zgjedhjeve. Edhe ashtu ne jemi largë zgjedhjeve lokale dhe edhe më largë atyre qendrore. LDK nuk do të pushoi kurrë së kërkuari drejtësi për vrasjet dhe tentim-vrasjet ndaj aktivistëve ndër më të mirët të LDK-së”, ka shkruar Gecaj në rrjetin social Facebook.
Ndërkohë në Gjilan, Dega e LDK-së ka mbajtur një takim me strukturat e partisë në këtë qytet. Me propozim të kryetarit Lutfi Haziri, Imet Rrahmani është zgjedhur nënkryetar i Degës së LDK-së në Gjilan, ndërsa Arben Mehmeti sekretar.
Përndryshe, edhe gjatë këtij takimi të anëtarëve të LDK-së, është kërkuar nga autoritetet e sigurisë që ta zbardhin rastin e vrasjes së gazetarit Bardhyl Ajeti, sikurse edhe rastet e vrasjeve tjera të veprimtarëve të LDK-së.
E si për të treguar se fushata për LDK-në ka filluar, është përkujdesur kryetari i partisë Isa Mustafa.
Kryeministri i Kosovës ka lënë për një moment anash obligimet e tij si shef i ekzekutivit të qeverisë, derisa ka lavdëruar përmes rrjetit social Facebook, punën që është duke e bërë partia e tij në komunat e Podujevës dhe Rahovecit.
“Podujeva shënoi sot 27 vjetorin e LDK-së. Ishte e pafund pjesëmarrja e veprimtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së. Kishin ardhur nga katër anët e Llapit për të shënuar ditën e përkushtimit të tyre, respektin për kryetarin e tyre të Degës së LDK-së dhe të Komunës, Agim Veliun. Respektin për LDK-në dhe shtetin e Kosovës. Urime juve që gjithnjë jeni fitimtarë”, ka shkruar Mustafa.
Fjalë të mëdha Mustafa ka thënë edhe për komunën e Rahovecit dhe Avdullah Hotin, kryetar të Degës së LDK-së në këtë komunë.
“Rahoveci me Avdullah Hotin, Kryetar të Degës së LDK-së dhe Ministër i Financave sot shpalosi 27 vjet të LDK-së. LDK nuk është parti e cila jeton nga historia dhe në historinë e saj. LDK është parti që ndërton pareshtur histori, parti e cila rritet, përtërihet dhe zhvillohet për të përballuar sfidat, për të zhvilluar Kosovën Demokratike”, ka thënë Mustafa.
LDK është partia e cila në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës udhëheq Qeverinë e Kosovës. /Insajderi.com