“LDK-në e pret fati i partisë së Millosheviqit”

“LDK-në e pret fati i partisë së Millosheviqit”

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci, ka folur për periudhën në të cilën po kalon Lidhja Demokratike e Kosovës.

Rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ai e konsideron të turpshëm për LDK-në, duke pasur parasysh fitoret e mëdha viteve të kaluara.

Sipas Dacit, kësaj partie i duhet një “freskim total” i qeverisjes. Madje ai thotë se LDK-në e pret fati i partisë së Millosheviqit.

“LDK do ta ndjek fatin e SPS-së së Serbisë të Millosheviqit. Në qoftë se vazhdon LDK me këtë punë që ka bërë vitet e fundit, tash është e fundit, që është turp. LDK-së i duhet ringjallje absolute, freskim absolut në qeverisje të partisë. Ka tash njerëz që edhe me vota edhe deputetë të mirë edhe anëtar, duhet të kuptohet që çdo periudhë i ka njerëzit e vet”, ka thënë Daci për Ekonomia Online.

“Unë them që LDK-në pas Rugovës e kanë marrë njerëz që nuk kanë pas autoritet as shtëpinë e vet me udhëheq, jo një shtëpi aq të madhe. LDK gjithmonë krejt zgjedhjet i ka pas me numër shumë të madh të votave i ka fituar. Edhe zgjedhjet e para lokale edhe zgjedhjet e para parlamentare. Duhet të nxjerrët një mësim që diçka është e keqe në qeverisjen e LDK-së jo në anëtarësinë, jo te populli”, ka shtuar ai.

Në pyetjen se kush do të ishte personi i cili do të kthente fuqinë që LDK e ka pasur në lidershipin kosovar, ndonëse nuk jep emër, ai propozon kryetarin e komunës së Gjilanit, Lutfi Hazrin.

“Dikush që ka pas autoritet prej fillimit të rugovizmit, edhe që ka tregu që edhe në udhëheqjen lokale, ka qenë dy tri herë kryetar i një komune shumë të rëndësishme, të Gjilanit për shembull. LDK ka njerëz që mund të jenë një emërues i përbashkët mes gjeneratave të reja dhe atyre që i ka kaluar mosha. LDK me mbet e treta brenda 10 vitesh, e ajo rrëshqitje do të shkojë edhe më poshtë në qoftë se nuk kthjellet”, përfundoi Daci.

Daci ka qenë kryetar i Kuvendi gjatë periudhës 2001-2006.