LDK në Mitrovicë kërkon reagim më të shpejtë të Qeverisë për situatën e krijuar në Veri

LDK në Mitrovicë kërkon reagim më të shpejtë të Qeverisë për situatën e krijuar në Veri

Pas lajmit se Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçani janë vendosur në karantinë për shkak të pandemisë COVID-19, nga autoritete serbe, ka reaguar edhe kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi.

Kamberi në prononcim për Insajderi,  ka thënë se në Mitrovicës po qarkullojnë dy lajme, njëri se vendimi për karantinë është marrë nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe tjetri që vendimi është marrë vetëm nga Serbia.

Si kryetar i Degë së LDK-së, ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të reagojë sa më shpejt, në mënyrë që të kuptohet e vërteta.

“Ka informata që një vendim të tillë e ka marrë edhe Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës që komunën e veriut e Zveçanin ta fut në karantinë, mirëpo në anën tjetër ka shumë informacione që këtë vendim e ka marrë Qeveria e Serbisë – nëse kjo është e vërtetë atëherë kjo është tejet shqetësuese sepse kjo tregon vazhdimësinë e Serbisë për dominim, që nuk është e interesuar për një sjellje korrekte në raport me Kosovën mirëpo gjithëherë është ajo e kahershmja, ajo dhelpra e vjetër që çdo herë dëshiron edhe në këso situatash të krijojë pasiguri dhe ndërhyrje të njëanshme në territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar kryetari i LDK-së në Mitrovicë.

Gjatë bisedës, ai shtoi se nga kjo situatë është vërejtur shqetësim dhe pasiguri nga gjithë qytetarët, në veçanti të atyre që banojnë në komunat e izoluara tashmë.

“Me lajmin se autoritetet serbe kanë futur në karantinë komunën e Mitrovicës së Veriut e Zveçanin është vërejtur njëfarë shqetësimi, një lloj pasigurie në përgjithësi tek qytetarët, në veçanti tek banorët shqiptarë që jetojnë në pjesën e veriut por edhe fshatrave përreth të cilat përfshihen në komunën e Zveçanit, Leposaviqit”, ka thënë Kamberi për Insajderin.

Në anën tjetër, kandidatja e PDK-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Valdete Idrizi ka thënë se Qeveria Kurti nuk po e konsideron veriun si pjesë të Kosovës.

Deputetja Idrizi  përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se rasti i vdekjes së shtetasit 47 vjeçar kosovar me përkatësi etnike serbe nga fshat Brus i komunës kosovare të Leposaviqit ende nuk figuron në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.

Mbrëmë është raportuar se me vendim të Serbisë, dy komunat e Kosovës, Mitrovica Veriore dhe Zveçani janë futur në karantinë si dhe rreth 200 qytetarë në 5 komuna të vendit janë detyruar të izolohen me urdhër nga Beogradi.

Ky vendim ishte marrë një ditë më parë, me ç’rast ishte lëshuar urdhri që Mitrovica Veriore dhe Zveçani të futen në karantinë dhe të izolohen 210 qytetarë nga disa komuna të Kosovës.

Teksa, në mesditës e së shtunës zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se vendimi për karantinim është marrë në bashkëpunim.

Xhelal Sveçla, ushtrues detyre i Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme ka thënë se masa e karantinimit për komunat Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan është vendosur në koordinim te plotë mes institucioneve qendrore (Ministrisë së Shëndetësisë) dhe autoriteteve lokale./Insajderi.com

 

Sveçla insiston: Vendimi për karantinimin e komunave të veriut është marrë në bashkëpunim me ne