Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ka akuzuar kryetarin e kësaj komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskukën, për paaftësi, mungesë të kreativitetit si dhe papërgjegjësi, njofton Insajderi.
Si pasojë e ktyre, sipas LDK-së, Haskukës dhe kabinetit të tij, për tri vite rresht, u kanë mbetur suficit në total, rreth 20 milion euro.
“Ndërkohë që tash në fund të mandatit, e ka marrë mindilin e po vajton që komuna nuk paska arritur të arkëtoi nga qiratë e objekteve komunale që shfrytëzohen nga subjektet politike, një shumë mjetesh të papërfillshme në krahasim me shumën e suficitit që çdo vit kalendarik i mbetej si tepricë sepse gjatë tërë vitit nuk kanë punuar gjë, në mungesë të ideve kreative për të realizuar projekte të nevojshme që do të përmirësonin jetën e qytetarëve të komunës”, thuhet në komunikatën për medie të LDK-së.
Sipas tyre, “është sa qesharake, aq edhe për keqardhje se si ai e përmend vazhdimisht shumën monetare të qirasë, që vërtetë është asgjë, duke mos e kuptuar se çfarë nënkupton termi -simbolik-, ndoshta edhe për shkak të gjuhës shqipe që nuk e zotëron aq mirë, por edhe si rezultat i mosnjohurisë së tij elementare se si funksionon qeverisja lokale”.
“I dashur kryetar Haskuka, që ta kuptosh; shuma prej një euro në muaj është simbolikë, e kjo nënkupton që kur ish asamblistët e legjislaturës 2005 kanë votuar për tu mundësuar që, të gjitha partitë politike të shfrytëzojnë këto objekte për veprimtari politike, me këtë shumë simbolike u është bërë me dije se; komuna me vullnetin e mirë ua jep në shfrytëzim, por ju nuk jeni pronarë të objekteve!”, thuhet tutje në komunikatë./Insajderi.com