LDK propozon që zgjedhjet lokale të mbahen më 31 tetor

LDK propozon që zgjedhjet lokale të mbahen më 31 tetor

Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar që zgjedhjet lokale të mbahen më 31 tetor, njofton Insajderi.

Kështu bëri të ditur lideri i partisë, Lumir Abdixhiku, pas takimit që ka zhvilluar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ku kanë diskutuar rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar komunash.

Para mediave, ai tha se edhe pse e kanë propozuar këtë datë, do të mund të pranonin edhe data tjera.

“Ne jemi gati si LDK për çdo datë të mundshme, për t’u futur në garën zgjedhore. Por rekomandimi ynë është 31 tetori si datë adekuate, por çdo datë tjetër do të ishte e pranueshme. Ne i propozuam dhe kërkuam Presidentes që 31 tetorin ta shpall datë të zgjedhjeve”, deklaroi Abdixhiku.

I pyetur se çfarë rezultati pret nga zgjedhjet lokale, bazuar në atë të zgjedhjeve nacionale, i pari i LDK-së tha se janë duke u bërë reforma dhe ndryshime që të kthehet besimi i qytetarëve në parti.

“Në zgjedhje nacionale është e vërtetë që s’kemi dalë mirë, prej datës së tyre deri më sot e në katër muajt e ardhshëm do të bëjmë reforma dhe ndryshime substanciale që ta kthejmë besimin e qytetarëve në LDK. Jam jashtëzakonisht optimist që rezultati i zgjedhjeve të tetorit do të jetë rezultat që e jep diferencën dhe rikthimin e LDK-së, atë që po e presim”, përfundoi Abdixhiku./Insajderi.com