LDK: Qeveria pa strategji për dialogun me Serbinë e thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë

LDK: Qeveria pa strategji për dialogun me Serbinë e thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Shqipe Mjekiqi, thotë se Qeveria me në krye Albin Kurtin, nuk ka strategji, e as plan-veprim dhe madje as fakte në realizimin e qëllimeve të tyre sa i përket politikës së jashtme, duke përfshirë dialogun me Serbinë dhe thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë, njofton Insajderi.

Në një konferencë të mbajtur për media sot, Mjekiqi është deklaruar rreth fokuseve kryesore të politikës së jashtme, për çka sipas LDK-së Qeveria në 50-ditëshin e saj të parë, nuk ka treguar asnjë rezultat.

“LDK e konsideron të rëndësisë së jashtëzakonshme të konsolidimit të mëtejmë të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Nuk ka strategji, ska plan-veprim dhe s’ka fakte në realizimin e qëllimeve. Qeveria nuk ka plan për njohje të reja, le të kujtohet se mosnjohja e 5 vendeve të BE-së, do të pengojë konsolidimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar”, ka thënë ajo.

Mjekiqi tutje ka kërkuar nga Qeveria që të tregojë se kur do të bëhet zbatimi i marrëveshjes për stabilizim-asocim, duke përmendur edhe liberalizimin e vizave, për çka kërkon që të dihet se çfarë plani ka ekzekutivi.

“Ne pyesim Qeverinë e Kosovës se kur do të bëhet zbatimi i marrëveshjes për stabilizim-asocim. Do të ishte mirë që Qeveria të tregonte se çfarë plani ka për liberalizimin e vizave”.

“Thellimi i bashkëpunimit me Shqipërinë është paraqitur i përgjithshëm në raportin e Qeverisë”.

“Qeveria nuk paraqet kornizën e parimeve për dialogun me Serbinë. Parimet për njohje reciproke pa prekur kufijtë nuk përmenden fare në raportin e Qeverisë.  Qeveria aktuale ka premtuar gjëra të shumta dhe po e shohim qysh në fillim se ka ndryshuar kurs jo vetëm aspektit të dialogut për edhe për thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë. Ka ndryshim të kursit të kësaj qeverie”, ka thënë Mjekiqi.

Nga ana tjetër, anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, është deklaruar rreth qëndrimit të kësaj partie sa i përket konfliktit të Izraelit me organizatën militante Hamas, për çka thotë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe se në këtë pikë, LDK qëndron në linjë të njëjtë me SHBA-të she vendet e tjera perëndimore.

“LDK mendon se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe në këtë pikë ne jemi në një linjë me SHBA-të dhe të botës perëndimore. Viktimat e këtij konflikti të të dyja palëve janë të dhimbshme dhe duhet bërë ç’mos që kjo të ndalet”, ka thënë Hamiti. /Insajderi.com