LDK reagon ndaj “kërcënimit” të Haradinajt, mbron punonjësit e administratës

LDK reagon ndaj “kërcënimit” të Haradinajt, mbron punonjësit e administratës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj kandidatit për kryeministër të koalicionit PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj.

Përmes një komunikate për medie, LDK ka thënë se “garanton qytetarët e Kosovës, që me fitoren që do të arrij në zgjedhjet e 11 qershorit, do t’ia pamundësojë koalicionit të territ që t’i shantazhojë dhe t’i largojë nga puna punëtorët profesionalë të administratës, me synim që ta mbush atë me mbështetësit e tij.”

LDK e ka quajtur “kandidat të koalicionit të mesnatës”, Ramush Haradinajn, raporton Insajderi.

“LDK ka plan konkret për reformë moderne në administratë dhe jo për largim me dhunë të njerëzve nga vendet e punës siç ndodh në vendet diktatoriale, forma që po propagandohen nga kandidati i koalicionit të territ, i cili, siç e ka humbur arsyen, do të humb edhe në zgjedhjet e 11 qershorit”, thuhet në komunikatë.

Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj ka premtuar sot në Rahovec se kushdo që punon në administratën e shtetit dhe nuk kryen punën siç duhet do të shkojë në shtëpi. /Insajderi.com