LDK shkarkon Haxhi Avdylin dhe tre anëtarë të tjerë

LDK shkarkon Haxhi Avdylin dhe tre anëtarë të tjerë

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe deputet i kësaj partie, Haxhi Avdyli, është shkarkuar nga të gjitha funksionet e LDK-së në Prizren, njofton Insajderi.

Bashkë me Avdylin janë shkarkuar dhe dy anëtarët e Kryesisë, Arsim Berisha, Artan Hoxha dhe kryetari i nëndegës së LDK-së në Landovicë, Fadil Berisha.

Avdyli, një mandat pati drejtuar degën e LDK-së në Prizren, ndërsa pas përfundimit të mandatit të kryetarit, ai ka qenë anëtar i Kryesisë së këtij subjekti politik.

“Për shkak të angazhimit në iniciativa të tjera politike, ata nuk përfaqësojnë më Lidhjen Demokratike të Kosovës, prandaj i lirojmë nga të gjitha përgjegjësitë”, thuhet në vendimin e shkarkimit të Kryesisë së LDK-së në Prizren.

Haxhi Avdyli, Arsim Berisha, Artan Hoxha dhe Fadil Berisha i janë bashkuar iniciativës së Vjosa Osmanit.

Vendimi për shkarkimin e tyre është marrë në mbledhjen e datës 3 janar të këtij viti.

Sekretari i LDK-së në Prizren, Nderim Gashi, ka konfirmuar shkarkimin e Avdylit dhe tre të tjerë. Ai nuk ka komentuar këtë vendim të Kryesisë. /Insajderi.com