
Raportimet se në shtëpinë e Isa Mustafës po mbahet një takim i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë dalë të mos jenë të vërteta. Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka thënë se LDK nuk është duke zhvilluar asnjë takim e as mbledhje të kryesisë.
Ai i ka thënë se LDK është takuar dje dhe e ka dhënë qëndrimin për të gjithë zhvillimet.
“Jo, ne nuk kemi mbledhje e as kryesia nuk është takuar. Sikur të ishte mbledh kryesia edhe unë do të isha aty. Unë tani nuk jam në asnjë mbledhje të LDK-së. Ky lajm nuk është i vërtetë. Ne jemi takuar dje, dhe siç është parë nga njoftim kemi dhënë edhe këndimet e tona për zhvillimet e fundit”, tha ai për Express.
Ai e ka mohuar po ashtu edhe faktin se Ramush Haradinaj është pjesë e takimit të kryesisë së LDK-së.
“ Siç e thash LDK nuk është duke mbajtur mbledhje, nuk është takuar as kryesia. Po ashtu as Ramush Haradinaj nuk ka marr pjesë, pasi LDK s’ka mbledhur kryesinë fare e as Haradinaj nuk ka mundur të jetë i pranishëm”, ka thënë Rugova.
Kujtojmë se më herët RTK kishte raportuar se në një mbledhje që ishte duke u mbajtur në shtëpinë e Isa Mustafës kishte marrë pjesë edhe kryeministri aktual i vendit Ramush Haradinaj.