
Lidhja Demokratike e Kosovës do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për falje të borxheve disa kompanive private.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kryeministri ka bërë shkelje dhe për këtë mund të ketë pasoja.
“Faljen e borxheve mund ta bëjë vetëm Kuvendi i Kosovës”, ka theksuar Hoti në “Rubikon” të KTV-së.
“Ne kemi pasur një përvojë në qeverinë paraprake me faljen e borxheve tatimore, jo tantiemeve”, ka treguar ai.
“Ne e kemi bërë atë me ligj, pas marrjes së opinionit ligjor nga Ministria e Financave, nga zyra e Kryeministrit. Na kanë thënë juristët se kjo çështje në aspektin kushtetues i takon vetëm Kuvendit”, ka thënë Hoti.
I pyetur se cilat mund të jenë pasojat, ai ka thënë se mund të ndodhë “shkarkimi i Kryeministrit nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.