LDK do të ankohet në Kushtetuese për Prishtinë – Haziri tregon kërkesën për Istogun

LDK do të ankohet në Kushtetuese për Prishtinë – Haziri tregon kërkesën për Istogun

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendosi sot që komuna e Istogut të shkojë në rivotim. PZAP-i tha se e ka pranuar ankesën e LDK-së dhe ka anuluar rezultatin e balotazhit të 19 nëntorit për kryetar të kësaj komune.

Por nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri thotë se në këtë komunë vetëm në votat me kushte dhe ato me postë ka pasur manipulime duke theksuar se ato brenda territorit janë legjitime. Në një përgjigje për Gazetën Express, Haziri vlerëson se janë faktuar pritjet e tyre për manipulime.

“Definitvisht, janë të faktuara pritjet tona se votat me postë dhe me kusht janë të manipuluara, është njollë e madh në këtë proces zgjedhor, delegjitimon plotësisht dhe komprometon procesin zgjedhor kundër Rugovës dhe LDK-së që janë fitues politik të zgjedhjeve edhe LDK që është parti fituese në këto zgjedhe”, u shpreh Haziri.

Sipas tij, tendencën e AAK-së dhe njerëzve të tyre qe me çdo kusht të fitojnë në Istog pas 10 vitesh, i rrëzoi PZAP-i.

“..dhe definitivisht mendoj që organet tjera te merren seriozisht që nënkupton finalizimin e procesit zgjedhor në Istog.

Mendoj që edhe rastin e Istogut do të duhej të anulohen vetëm votat me postë dhe ato të kompromentume sepse vendimi brendshëm ka legjitimitet të plotë e ish dashur me u ruajt”, sqaroi ai.

Partia e Isa Mustafës e pakënaqur është edhe me vendimin e Supremes e cila nuk lejoi rinumërimin e votave në Komunën e Prishtinës. Haziri bëri të ditur se së shpejti do t’i drejtohen kushtetueses për këtë vendim të Supremes dhe se Kryetari dhe Kryesia e LDK-së janë ata që do të vendosin se kur do ta bëjë këtë.

“ …në rastin e Prishtinës kushtetuesja duhet ta jap fjalën e vet sepse Supremja ka kaluar mbi PZAP, kushtetuesja e cila është e specializume me i faktuar gjetjet në këtë proces zgjedhor, pasi është një organ i cili jep besueshmëri krejt procesit e cila duhet me u marrë me vendimin e Supremes meqë LDK e ka edhe mundësinë ligjore për me apelu”, përfundoi ai.

Gjatë ditës për vendimin e PZAP reagoi edhe Haki Rugova, kandidat i LDK-së për Istogun. Tha se është e padrejtë që e gjithë komuna t’i nënshtrohet rivotimit. Ai kërkon vetëm anulimin e votave me postë.

Por me vetëbesim dhe i bindur prapë në fitore, u shpreh Gani Dreshaj i AAK-së për këtë komunë. Tha se sa herë që të shkojë në garë, do ta mposht Rugovën.