Lidhja Demokratike, nëpërmjet një komunikate, ka shprehur keqardhje për zhvillimet e sotme në Kuvend, kur Kadri Veseli u rizgjedh në krye të tij, pas që, sipas kësaj partie, koalicioni që e zgjodhi atë drejtohet nga Lista Srpska dhe pazargjinjtë.
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje për zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku u konfirmua katërçipërisht se koalicioni që sot e zgjodhi kryetarin e Kuvendit, diktohet plotësisht nga Lista Serbe dhe pazargjinjtë”, thuhet në komunikatë.
Sipas LDK-së, PAN është koalicion i formuar nga sekserët dhe se ‘përfaqëson vetëm interesat e ngushtë të tre individëve në tri pozitat kryesore të shtetit’.
“Sot, koalicioni i sekserëve, dëshmoi po ashtu, se përfaqëson vetëm interesat e ngushta të tre individëve, të cilët synojnë të jenë në tri pozitat kryesore të shtetit, duke mos zgjedhur mjete dhe duke mos pasur asnjë konsideratë për të ardhmen e shtetit”.
Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës marrëveshjet e koalicionit dhe pazaret e lidhura janë në kundërshtim me ligjin dhe me Kushtetutën. Prandaj, e konsideron shumë të dëmshme që Kosova të qeveriset nga struktura të tilla.
Ajo thotë se mbetet besnike zotimeve para anëtarësisë dhe qytetarëve se nuk do të bëjë koalicion me ata që e kanë kapur shtetin, me ata që simbolizojnë krimin dhe korrupsionin.
“LDK do të jetë në koalicion me qytetarët për të kundërshtuar çdo të keqe që i bëhet Kosovës nga një qeverisje pa legjitimitet të shumicës shqiptare”.
LDK rithekson përkushtimin që të mobilizohet tërësisht në misionin e shenjtë për çkapjen e shtetit dhe për të mos toleruar që institucionet e Kosovës të dirigjohen nga Serbia.
Këtë e ka dëshmuar edhe kryeministri, njëherësh kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili gjatë mandatit të deritashëm në Qeveri, nuk ka pranuar në asnjë moment të dirigjohet nga Lista Serbe, as për krijimin e institucioneve, as për Ligjin e Trepçës, dhe për asnjë çështje të rëndësishme shtetërore, duke i përjashtuar nga kabineti të gjithë ata që nuk kanë punuar në përputhje me ligjet e shtetit.
Ndërkaq, koalicioni i sekserëve, edhe kohën e mbajtjes së seancave e cakton me leje të Listës Serbe, të cilës iu dhurua edhe një Ministri shtesë si koncesion i radhës për të krijuar një Qeveri pa legjitimitet qytetar.
Kryetari i zgjedhur i Kuvendit vetëm me votën e pozitës, mund të ketë besimin e atyre që e kanë votuar, por LDK e konsideron përgjegjësin kryesor i cili, për motive dhe interesa personale dhe me logjikë konspirative, organizoi rrëzimin e shumicës shqiptare në Kuvend, për të sjellë organin më të lartë legjislativ në varësi të plotë nga Lista Serbe dhe Serbia, thuhet në komunikatën e LDK-së. /Insajderi.com