LDK thotë se mund të ketë përsëri përpjekje për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale

LDK thotë se mund të ketë përsëri përpjekje për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se me shfuqizimin e Gjykatës Speciale Kosova do të rrezikonte të humbte përkrahjen që ka nga shtetet ndërkombëtar.

Hoti thotë se përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës ende nuk kanë përfunduar dhe se hapat drejt kësaj iniciative mund të merren në janar.

“Nuk është kryer çështja e Speciale. Ndoshta do të bëjnë përkrahje ta kthejnë në janar prapë. Janë nënshkrimet e deputetëve, pastaj nënshkrimet e qytetarëve në peticion. Pastaj, Qeveria mund ta dërgojë në Kuvend, sepse ka të drejtë”, tha Hoti në KTV.

Tutje, ai tregoi se të premten mbrëma kishin mbetur të befasuar nga ngutia për t’u mbledhur Kuvendi e për të marrë vendimin për shfuqizim të Gjykatës.

“Mbetëm të befasuar me këtë iniciativë dhe ngutia për të kryer punën të premten mbrëma. E paarsyeshme dhe e panevojshme. Duhej verifikuar pse u kërkua të diskutohet ajo çështje. Kjo krijoi pasiguri tek partnerët ndërkombëtarë, që atë natë kanë qenë të shqetësuar me rrjedhjen e ngjarjeve. Nuk u kërkuan nënshkrimet tona për këtë kërkesë për shfuqizim të Gjykatës Speciale. Nëse do të merrej ai veprim ne do të rrezikonim arritjet që i kemi bërë deri tani. Mund të futeshim në spiralen e tërheqjes së njohjes. Gjendja do të kthehej prapa. Do të jepnim sinjal të keq, pse po frikësohemi nga drejtësia. Duhet të pranojmë faktin se kemi qenë të pafuqishëm për t’u marrë me vrasje që kanë ndodhur në Kosovë”, deklaroi tutje Hoti./periskopi