LDK ua tregon “muskujt” njerëzve kritikë brenda partisë

LDK ua tregon “muskujt” njerëzve kritikë brenda partisë

Zëri kritik brenda partisë, por edhe për proceset e mëdha në Kuvend, ajo tash gjendet diku larg në listë për deputete. Madje, u spekulua shumë se ajo nuk do të jetë fare pjesë e listës së LDK-së për deputete.

Më herët flitej se marrëdhëniet mes saj dhe kreut të partisë ishin ftohur aq shumë saqë nuk përjashtohej mundësia edhe të largohej nga LDK-ja. Ajo vendosi të mos e braktisë partinë. Kjo është Vjosa Osmani.

Megjithatë, LDK-ja ia gjeti një vend – në pjesën e tretë të listën.

Kurse, Sylejman Çerkezin e kanë renditur të shtatin në listë. Ai vjen prej një partie të vogël të sapo formuar “Lëvizja për Drejtësi”, të cilën e krijoi bashkë me një grup anëtarësh të pakënaqur në Partinë e Drejtësisë të Ferid Aganit.

Por LDK-ja është kujdesur që prurjeve të reja t’ua sigurojë një pozitë më të mirë. Lumir Abdixhikun dhe Driton Selmanajn i vendosi në pjesën e parë të listës, sikurse edhe Vlora Dumoshin, shefe e kabinetit të kryeministrit në largim Isa Mustafa.

Në pjesën e parë të listës ka zënë vend edhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, kurse në pjesën e dytë të listës janë renditur kritiku i partisë, Arben Gashi dhe Skenderi Hyseni, ministër në largim i Punëve të Brendshme.

Kurse nga lista e LDK-së janë hequr Shpejtim Bulliqi, i cili ka qenë kritikues i marrëveshjes së Demarkacionit, sikurse që ka qenë edhe Adem Salihaj, të cilin po ashtu e kanë hequr nga lista.

Lista është e përbërë prej 110 emrave të kandidatëve për deputetë. Aty janë të përfshirë emra nga LDK-ja, AKR-ja, Alternativa, Lëvizja për Drejtësi.

Këto parti kanë lidhur koalicion parazgjedhor. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 11 qershor 2017. Deri te zgjedhjet erdhi pasi Kuvendi, me shumicë votash e rrëzoi qeverinë.

Rrëzimin e mundësoi partneri i koalicionit, PDK, e cila ia siguroi votat e mjaftueshme opozitës për ta votuar mocionin e mosbesimit./Insajderi.com