LDK: Vendi po kalon në situatë të vështirë institucionale

LDK: Vendi po kalon në situatë të vështirë institucionale

Partia në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar në lidhje me konfirmimin e aktakuzave të Gjykatës Speciale për Hashim Thaçin e Kadri Veseli.

Në deklaratë thuhet se “Lidhja Demokratike e Kosovës po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me vendimet e Dhomave të Specializuara dhe aktin e sotëm të dorëheqjes së Presidentit të vendit”.

Po ashtu theksohet se “Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendi po kalon një situatë të vështirë institucionale, e cila, përveç se duhet të përballohet me qetësi dhe maturi, kërkon edhe unifikim e vendime të përgjegjshme politike dhe institucionale”.

Në vazhdim të deklaratës thuhet “Lidhja Demokratike e Kosovës beson thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe është zhvilluar vetëm si mjet i fundit për të ndaluar dhunën sistematike, represionin dhe gjenocidin e shtetit serb në Kosovë”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, e bindur thellë se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur, apelon që institucionet përkatëse të zbatojnë standardet më të larta për gjetjen e së vërtetës dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe të ligjshëm”. /Insajderi.com