LDK nuk e njeh Thaçin si president të vendit

LDK nuk e njeh Thaçin si president të vendit

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si pabesi dhe hipokrizi përkrahjen që Partia Demokratike e Kosovës i dha mocionit për rrëzimin e Qeverisë

“Veprimi i sotëm edhe një herë e la pa asnjë maskë Kadri Veselin dhe bashkëpunëtorët e tij në PDK, të inkriminuar dhe me probleme të thella me ligjin dhe të cilët sot u bashkuan për t’i dhënë fund Qeverisë që e çliroi shtetin nga kapja e gjithanshme, që i këputi fijet e krimit dhe të korrupsionit”, ka thënë LDK përmes një komunikate për media.

LDK thotë se “me këtë veprim, marrëveshja e koalicionit bie në tërësi dhe LDK-ja nuk e njeh asnjë pikë të saj dhe asnjë rezultat politik të saj”.

Një nga pikat e kësaj marrëveshje ka qenë edhe zgjedhja e Hashim Thaçit si president i vendit.

“LDK-ja rithekson përkushtimin e saj për të luftuar deri në fund krimin dhe korrupsionin në vend, si parti e përgjegjshme, si partia kryesore në vend dhe si partia që e dëshmoi se si qeveriset me duar të pastra dhe se si punohet në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas LDK-së, rrëzimi i qeverisë do të ketë pasoja për liberalizmin e vizave.

“Rrëzimi i Qeverisë së Kosovës nga “koalicioni i të inkriminuarve” rrezikon përfundimisht liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, proceset e tjera integruese euroatlantike, krijimin e Ushtrisë së Kosovës, anëtarësimin në Organizatat Ndërkombëtare, për të cilat, siç po shihet në vazhdimësi, nuk është aspak i  interesuar lidershipi i PDK-së dhe individë të caktuar në partitë opozitare.”

“Lidhja Demokratike e Kosovës fton qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë përkrahjen e tyre për LDK-në, në mënyrë që në qeverisjen e ardhme, të udhëhequr nga LDK-ja, të përmbyllet përfundimisht çkapja e shtetit nga krimi dhe korrupsioni”.

“LDK-ja, me mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët dinë t’i vlerësojnë punët e mira të LDK-së dhe përkushtimin e saj, bashkë me partnerët e saj do të jenë shumica e re në Kuvendin e Kosovës dhe do të vijojë të udhëheqë vendin në proceset jetike, ndërsa PDK-ja dhe aleatët e saj do të shikojnë nga atje, në “Fillimin e tyre të ri”.