Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha para medieve se është i hapur për bashkëpunim me Vetëvendosjen për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, raporton Express. Mustafa tha se nëse arrihet pajtueshmëri në programet e dy partive politike është i gatshëm të ndërtojë qeverinë me Vetëvendosjen.
Ai ka treguar se sot është zhvilluar një takim ndërmjet nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit, dhe Albin Kurtit të VV-së, për të shikuar mundësitë e bashkëpunimit.
“Do të bëjmë përpjekje të konstituohet Kuvendi dhe të themelohet qeveria, kemi nevojë për qeveri të rregullt. Nuk do ta përkrahim asnjë koalicion me PDK-në, ndërsa me Vetëvendosjen jemi të hapur të bashkëpunojmë të shohim anën programore se sa mund ta përshtatim programin”- tha Mustafa, pasi prezantoi zyrtarisht kandidatin për Prishtinë, Arban Abrashin.
“Sot ka pas takim mes Lufti Hazirit dhe Albin Kurtit në mënyrë që të shihen mundësitë e bashkëpunimit. Të shohim programin qeverisës me VV-në dhe nëse pajtohemi në program, jemi të gatshëm të ndërtojmë një qeveri të përbashkët”- tha Mustafa tutje.
Rikujtojmë se ditë më parë Mustafa kishte kërkuar llogari nga Vetëvendosja lidhur me 70 dosjet, duke thënë se le të deklarohet VV se a janë të vërteta apo propagandë.