LDK zotohet për krijimin e ushtrisë dhe liberalizimin e vizave

LDK zotohet për krijimin e ushtrisë dhe liberalizimin e vizave

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të premten në Suharekë se vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca Kosova e Re (AKR), Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, janë partnerë seriozë të aleatëve tanë euroatlantikë, për të krijuar Ushtrinë e Kosovës dhe për t’i liberalizuar vizat.

“Do të arrijmë t’i bindim aleatët tanë se janë krijuar kushtet për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Ne nuk do të ndjekim strategji protagonizmi në këtë proces, sepse është dëshmuar se një strategji e tillë vetëm e dëmton realizimin e synimit tonë për ta bërë Kosovën me ushtri partnere të ushtrisë amerikane dhe NATO-s”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se Ushtrinë e Kosovës synojmë ta ndërtojmë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe në partneritet me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.

“Në mesin tonë kemi ekspertë, ushtarakë dhe ish-luftëtarë që dinë më së miri ta bëjnë ushtrinë. Ne kemi krijuar financa të mjashtueshme dhe kemi përgatitur legjislacionin, tani na nevojitet koordinim ndërkombëtar dhe unitet i brendshëm”, ka thënë Hoti.

Kandidati për kryeministër nga Koalicioni i djathtë ka thënë se nuk do t’i shmangemi detyrimit për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

“Jo vetëm sepse këtë e kemi kriter për të fituar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Por, edhe sepse ne duam të demonstrojmë që jemi shtet serioz dhe që nuk u bishtnojmë detyrimeve ndërkombëtare”, ka thënë Hoti.