“Le Monde Diplomatique”, gazetë mujore që botohet nga një nënkompani e gazetës së njohur franceze, Le Monde, ka botuar në numrin më të ri një shkrim për Kosovën me rastin e 20-vjetorit të intervenimit të NATO-s kundër Serbisë pas dështimit të bisedimeve paqësore për Kosovën në Konferencën e Rambujesë, në Rambuje e Paris.
Shkrimi i anëtarit të redaksisë, Philippe Descamps (Filip Dekâ), me titull “Mbas njëzet vjetësh, plagët e hapura të Kosovës” (Kosovo’s wounds, twenty years on), zien nga sentimenti antiamerikan e antikosovar, pa fshehur njëfarë bashkëndjesie me Serbinë, që autorit i del të jetë viktimizuar nga SHBA-ja, NATO-ja por edhe udhëheqës të tjerë perëndimorë të së majtës liberale, socialdemokrate. Pos Presidentit demokrat amerikan Bill Clinton, përmenden edhe kryministrat Tony Blair, Gerhard Schröder, Massimo D’ Alema e Lionel Jospin. Ky i fundit kryeministri i Francës në atë kohë, sepse Presidenti francez Jacques Chirac, që s’përmendet në këtë shkrim, ka qenë konservator i djathtë. (Chirac-u në fjalimet e veta gjatë luftës në Kosovë denonconte ‘barbarinë’ serbe; shënim imi, MH).
Fushata e bombardimeve të NATO-s është kryer pa miratimin e Kombeve të Bashkuara dhe “nën pretekstin se bisedat për paqe në Rambuje kishin dështuar”, shkruan Descamps në artikullin e botuar në edicionet frengjisht dhe anglisht të gazetës “Le Monde Diplomatique”.
Teksa shkruan për parahistorinë e luftës në Kosovë dhe të të tjerave në ish-Jugosllavi pas ardhjes së Millosheviqit në pushtet në Beogard dhe pas heqjes së autonomisë së Kosovës më 1989, Descamps-i thotë se “Millosheviqi pastaj përdori ushtrinë federale jugosllave për të mbrojture pakicat serbe” dhe për të parandaluar pavarësimin e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës.
Në këtë artikull, autori qan hallin e serbëve, kërkesat e të cilëve ‘nuk dëgjoheshin’ pas rrethimit të Sarajevës dhe “veprimeve” të milicisë serbe të Bosnjës që e udhëhiqte Radovan Karaxhiqi.
Duke u kthyer te thelbi i argumentit të vet kundër intervenimit të NATO-s në mbrojtje të Kosovës, gazeta franceze shkruan: “Me qëllim që të arsyetonin përdorimin e forcës, forcat perëndimore dononcuan kokëfortësinë serbe dhe ekzgjeruan seriozitetin e situatës në terren, duke e quajtur ‘gjenocid’ dhe duke hedhur lajme të rreme (fake news) që u përhapën nga një vistër mediash”.
Jofleksibil ka qenë Millosheviqi por Perëndimi në lidhje me Marrëveshjen e Rambujesë për Kosovën, konstaton autori i shkrimit. “Perëndimi donte të vendoste trupat e NATO-s. Ajo që s’mund të arrihej me negociata duhej të bëhej me luftë”, thotë më tej autori, që dënon krimet e UÇK-së, “të pandëshkuara” (sic!), por jo të forcave të Millosheviqit në Kosovë.
Toni i këtij shkrimi nga Philippe Descamps paevitueshëm të kujton tonin e shkrimeve kundër NATO-s, amerikanëve dhe Kosovës, nga linguisti amerikan Noam Chomsky (Noam Çomski), një libertarian socialist, simpatizues i anarko-sindikalizmit. Një shkrim i tij për NATO-n si ‘sundimtar të botës’ është në arkivin online të gazetës.
Është vënë re vitet e fundit një prirje për zhvlerësim (më saktë revizionim) të ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë më 1999, e cila për një kohë të gjatë ishte parë si intervenim shembullor humanitar, mbi parimin e të drejtës për mbrojtje (the right to protect) të popullsive ndaj të cilave kryhen krime në emër të sovranitetit shtetëror të kryerësve të krimeve.