Legalizimi i marihuanës, Maqedonia Veriore pret përfitime rreth 250 milion euro

Legalizimi i marihuanës, Maqedonia Veriore pret përfitime rreth 250 milion euro

Qeveria e Maqedonisë së Veriut paralajmëron iniciativë për dekriminalizim dhe legalizim të marihuanës.

Në fillimt të vitit të ardhshëm sipas kreut të qeverisë së vendit fqinj, Zoran Zaev, do të hapet debati për ndryshime ligjore për përdorim të kanabisit në mjekësi dhe për eksport.

Përveç përfitimeve në mjeksi, Zaev thotë se do të ketë edhe përfitime ekonomike, ndërsa pritjet e para janë rreth 250 milionë euro të hyra nga prodhimi për qëllime shëndetësore.

Në fund të vitit, Zaev thotë se do të hapet debat edhe për dekriminalizim të përdorimit të marihuanës si dhe legalizim të përdorimit për qëllime ekonomike.

“Është e vërtetë ajo që flasin aktivistët e sektorit qytetar, nuk është në rregull që dikush të shkojë në burg vetëm sepse ka shfrytëzuar gjysmë gramë kanabis natyral për nevoja personale, në kohën kur gjithkund në botë kjo bimë po bëhet legale edhe për veprimtari shëndetësore edhe ekonomike. Për këtë çështje pason fillimi i vitit 2021, kur presim të debatohet në Kuvend. Për legalizimin githëpërfshirës do të ketë debat deri në fund të qershorit 2021, fillimisht do të debatojmë, do ta dëgjojmë zërin e qytetarëve dhe më pas edhe Kuvendi do të veprojë në përputhje me orientimet që do të merren nga qytetarët”, tha kryeministri Zaev.

Si shembull pozitiv për legalizimin e marihuanës, Zaev ka përmendur vendet si Kanada, Çekia, Holanda ku siç u shpreh ai regjistrojnë të ardhura vjetore deri në 55 miliardë dollar vetëm nga kjo veprimtari.

Në Maqedoninë e Veriut, kreu i Qeverisë njoftoi se ka 59 licenca për përpunim të kanabisit për qëllime mjekësore. /Insajderi.com