Prej vitesh qarkullojnë legjenda për një polic të rreptë e profesional në Prishtinë. Falja e ndonjë kundërvajtësi në trafik nga ai as që mund të merret me mend. Thuhet se në një rast ka dënuar vetën kur krejt pavetëdijshëm ka tejkaluar shpejtësinë në trafik. Thuhet po ashtu se në një rast tjetër ka dënuar kushëririn e tij që po ngiste veturën pa e vënë rripin e sigurisë në kohën kur ndodhej me të në veturë. Sado që profesionalizmi i këtij zyrtari policor është kthyer më shumë në një legjendë urbane, politikanë të tillë nuk ka. Asnjëri nuk është i gatshëm t’i vejë pranga vetës për ta përmbushur kriterin e liberalizimit të vizave.
Kam pas raste kur i kam besuar Ramush Haradinajt, ndonëse rrallëherë. Një prej këtyre rasteve ishte në vitin 2015, ditën kur ia kishte përplasur hartën turinjve, Murat Mehës.
Më shumë i besoja përkushtimit të tij për të mbrojtur territorin, sesa argumenteve që jepte kundër versionit të demarkacionit Murat Mehës.
Ky besim thuajse i vetëm tek Ramush Haradinaj më është shembur momentin që dërgoi në Kuvend versionin e demarkacionit të cilin e kishte kundërshtuar me të gjitha mjetet, përfshirë “sportet e lehta”, siç e quante ai hedhjen e gazit. Si rezultat i një kauze krejtësisht fiktive dhe të rrejshme, Kosova u bë gaz.
Fatmirësisht të mërkurën përfundoi saga e quajtur demarkacion, falë një konsensusi politik të shumicës së partive shqiptare.
Bazuar në argumentet e Haradinajt, Kosova të mërkurën ka humbur territor. Deputetët, disa vullnetshëm, e disa nën trysninë edhe të Haradinajt, votuan që t’ia falin Malit të Zi mbi tetë mijë hektarë tokë.
Çuditërisht, kjo “humbje territori” u kthye në një festë kombëtare.
Urime! Çakorrin ia dhamë Malit të Zi. Zhlepin po ashtu. Edhe Bjelluhën.
Por çka fituam?
Argumenti më i dëgjuar i muajve të fundit ishte liberalizimi i vizave. Demek, nëse votohet demarkacioni, ndodh liberalizimi.
Në fakt ky argument është krejtësisht i rrejshëm siç ishte e rrejshme kauza e kryeministrit Haradinaj. Votimi i demarkacionit është kryerje e veç një kriteri.
Kryesori dhe më i vështiri është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky kriter për ne është i pakapërcyeshëm. Rrjedhimisht liberalizimi i vizave nuk do të ndodh edhe një kohë të gjatë. Sepse, ne pos që nuk jemi të zotët ta luftojmë korrupsionin, nuk kemi as vullnet ta bëjmë një gjë të tillë. Kjo do të nënkuptonte vënien e prangave vetvetes.
Kosova ka dhënë argumente të shumta se nuk vullnet ta përmbush këtë kriter. E ka të pamundur ta përmbush atë, derisa peshqit e mëdhenj në fakt janë vetë udhëheqësit e shtetit.
Peshkimi në një terren përplot me peshkaqenë përbën rrezik të madh për peshkatarin, siç përbën rrezik për prokurorët arrestimi i mundshëm i politikanëve që qeverisin Kosovën.
Prej dy vjetësh, pra prej nisjes së zvogëlimit të kompetencave të EULEX-it, liderët kanë bërë hapa konkret e të prekshëm të luftimit të sundimit të ligjit.
Fundvitin e kaluar presidenti i Kosovës liroi nga burgu tre kriminelë – vrasës të dënuar me nga 30 vjet burgim. Mes viktimave të tyre kishte edhe fëmijë.
I ndodhur në një situatë shantazhi se të dënuarit do të mund të flasin për krime tjera në të cilat është i përfshirë vetë Thaçi dhe struktura e tij politike, dhe frike se mund të përfundojë në Gjykatën Speciale, ai ua fali gati gjysmën e dënimit.
Thuajse askush nuk reagoi, pos ambasadorëve perëndimor të akredituar në Prishtinë. Kurrkujt nuk iu bë vonë për viktimat e pafajshme. Shumica duartrokiti kthimin në shoqëri të këtyre kriminelëve.
Në të njëjtën kohë të faljes së këtyre kriminelëve, presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri i prinë një iniciative për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Në mënyrë të vetëdijshme dhe me paramendim, ata ndërhynë në drejtësi.
Iniciativa përfundoi vetëm atëherë kur ishte e qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE-së, ndërmorën hapa konkret të ndëshkimit siç ishte refuzimi i vizave.
Azem Syla, ndërkohë është i lirë. Udhëheqësi i një bande kriminale të përfshirë pos tjerash në vrasje, u lirua nga burgu vetëm 20 ditë pasi rasti kaloi prej gjyqtarëve të EULEX-it, në duart e Beqir Kalludrës.
Sulm të rëndë mbi pavarësinë e gjyqësorit bëri kryeministri kur u vu në mbrojtje të të akuzuarit për zhvatje të nja 30 milionë euro pasuri të shtetit.
Struktura politike aktuale nuk është e gatshme ta përmbush kriterin për liberalizim vizash – luftimin e krimit dhe korrupsionit. Vullneti i kësaj klase për ta bërë një gjë të tillë, nënkupton vullnet për ta çuar vetën në burg.
Prej vitesh qarkullojnë legjenda për një polic të rreptë e profesional në Prishtinë. Falja e ndonjë kundërvajtësi në trafik nga ai as që mund të merret me mend. Thuhet se në një rast ka dënuar vetën kur krejt pavetëdijshëm ka tejkaluar shpejtësinë në trafik. Thuhet po ashtu se në një rast tjetër ka dënuar kushëririn e tij që po ngiste veturën pa e vënë rripin e sigurisë në kohën kur ndodhej me të në veturë.
Sado që profesionalizmi i këtij zyrtari policor është kthyer më shumë në një legjendë urbane, politikanë të tillë nuk ka. Asnjëri nuk është i gatshëm t’i vejë pranga vetës për ta përmbushur kriterin e liberalizimit të vizave.