Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Pal Lekaj, ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendësministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi se tenderi për “mirëmbajtjen e urave në rrugët regjionale dhe rajonale të Kosovës ishte nënshkruar në kohën kur ai drejtonte këtë dikasteri, shkruan Insajderi.
Lekaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë siç është parashkruar nga Durmishi.
“Me lajmin e datës 2 Korrik 2021 i shpërndarë̈ në disa media është shpallë një gënjeshtër në opinion me të vetmin qëllim për t’i mbuluar shkeljet dhe veprimet korruptive të 3 muajve të qeverisjes aktuale.Nga unë, gjatë kohës kur kam qenë Ministër i Infrastrukturës, e them me bindje të plotë, dhe kjo do të dëshmohet shumë shpejtë, nuk kam nënshkruar asnjë kontratë të tillë siç është përshkruar në deklarimet e Durmishit.”, ka deklaruar ai.
Ai tha se “vetëm gjatë dy muajve të fundit Durmishi në Ministrinë që udhëheqë̈ Liburn Aliu kanë nënshkruar afër 10 milion euro kontrata pa zhvilluar asnjë procedurë të prokurimit dhe të njëjtat nuk janë publikuar fare”.
“Derisa në Ministrinë e Liburn Aliut është instaluar një anarki totale financiare dhe keqpërdorim i thellë i buxhetit, me të cilat keqpërdorime duhet te merren seriozisht organet, zëvendësi i tij Hysen Durmishi, një ditë pasi i dha tender 1 milion Euro ish-shefit të tij, del dhe përmend emrin tim në media pa asnjë argument, vetëm e vetëm për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet dhe aferat e tij korruptive”, ka shtuar ai./Insajderi.com