“L’Equipe”: Kujdes nga Shqipëria, është e organizuar mirë

“L’Equipe”: Kujdes nga Shqipëria, është e organizuar mirë

Kombëtarja e Francës përballet sonte me Shqipërinë (ora 21:00), në Marsejë, në ndeshjen e dytë në Grupin A të “Euro 2016” për të dyja skuadrat. Një fitore për Francën nënkuoton se ata sigurojnë kualifikimin nga grupi porse fitorja është tejet e rëndësishme edhe për Shqipërinë për të njëjtin qëllim.

Por, për ta arritur këtë, prestigjiozja franceze “L’Equipe” thotë se francezët duhet të jenë vigjilentë dhe realistë.

“Në kushte që mos bëhet gjithçka e vështirë, veçanërisht për shkak të erës së ftohtë e të fortë të veriut, Franca do të tentojë të shënojë sa më shpejt, për të shmangur çdo dyshim gjatë lojës. Kundër Rumanisë (2-1) u deshën më shumë se një gjysmë ore për të bërë sulmin e parë dhe pothuajse një orë për të hapur rezultatin. Në qoftë se një skenar i tillë ndodh, të mërkurën, në “Stade Velodrome”, blutë do të përballen me pengesa të reja, por të ndryshme nga ato të së premtes së kaluar,” thuhet në artikull.

“Nëse Didier Deschamps ka vendosur për ta filluar ndeshjen me një skemë 4-2-3-1, siç është “trendi”, dy anësorët e mesfushës do të kenë rëndësi të madhe. Ata mund të jenë Kingsley Coman, në të djathtë, dhe në të majtë Anthony Martial, në “kurriz” të Antoine Griezmann dhe Paul Pogba. Roli i tyre do të jetë për t’i detyruar shqiptarët të lirohen në bllokun e tyre kompakt.”

Në artikull thuhet se Shqipëria është mirë e organizuar dhe se Frnca duhet të ruhet nga goditjet standarde.

“Lojtarët e Gianni De Biasi janë të detyruar të fitojnë, për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim. Prandaj, ata do të luajnë gjithçka për gjithçka. Në rast të fitores, blutë kualifikohen për fazën e eliminimit direkt, madje edhe para se të luajnë ndeshjen e tyre të fundit të grupit kundër Zvicrës,” thuhet në artikull, njofton telesport.

Shqipëria dhe Franca zhvillojnë ndeshjen duke filluar në orën 21.