Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar sot urdhër-arrest ndaj deputetit Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrimin me subvencione, që kapin shumën mbi 25 mijë euro.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila ka thënë se urdhëri është lëshuar me qëllim për ta dërguar Arifin në vuajtje të dënimit me burg.
“Ju njoftojmë se i dënuari E. A e ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, me të cilin i është refuzuar ankesa si e pabazuar dhe është bërë i plotfuqishëm vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë.I dënuari E.A është dashur që pas pranimit të vendimit të lajmërohet në Qendrën për vuajtjen e dënimit me burg, por pasi që i njëjti nuk është lajmëruar, Gjykata ka lëshuar urdhëresë për ndalim, arrestim dhe dërgimin e të njëjtit në vuajtje të dënimit me burg”, tha Gashi në një përgjigje për REL.
Arifi është i dënuar me një vit e tre muaj burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”.
Sipas vendimit të gjykatës, deputeti Etem Arifi i Partisë së Ashkalive për Integrim, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, kanë përvetësuar rreth 26 mijë euro. /Insajderi.com/